Dante Aligeri
"KOMEDIA HYJNORE - FERRI"
Kushtuar Adelinës

Kënga e pestë
Rrethi i dytë. - Minosi. - Mëkatarët e epshit.
Dhe zbritëm ne nga rrethi i parë
në rreth të dytë. Vend më pak ai zinte,
por dhembjet shpirtrat bënin për të qarë.
Tek porta Minosi i frikshëm rrinte, 4
ckërrmitej kur gjykonte vdekatarët,
dënonte dhe në terr me bisht i shpinte.
Kur dilnin para tij ata qyqarët, 7
secili fajet një për një rrëfente,
në ferr të zi një vend për mëkatarët
ky njohës i mëkatit vrik e gjente. 10
Pështillte veten ai me bisht aq herë
sa rrathë poshtë ti hidhte i pëlqente.
Përpara tij plot njerëz ka përherë, 13
me rradhë vijnë ata për tu gjykuar,
flasin, dëgjojnë e flaken në humnerë.
"O ti që vjen në strehën e mjeruar", - 16
më thotë Minosi sa sheh të afrohem
dhe lë mënjanë punën e mallkuar.
"Shih si po hyn dhe kujt po i besohe! 19
Mos u gënje nga port e gjerë tepër!".
Por prijsi im i tha: "Pse i akrrohe?
As rrugën mos ia zër, se fati i epër 22
ia ka caktuar. Kjo u vendos në qieje,
ku bëjnë atë që duan. Mos pyet gjë tjetër!".
Ofshama dhembjesh veshi nis të ndiejë, 25
sepse tani tek vendi paç arritur,
ku vaj i madh fillon që të shpërthejë.
Ky vend i zi, që drita nuk ka ndritur, 28
gjëmon e shfryn si deti prej shtrëngate
nga erëra të kundërta i goditur.
Duhi e ferrit kurrë nuk tulatet 31
dhe bart me vete shpirtrat në pështjellë,
i tund, i shkund, sa i cfilit të ngratët.
Dhe kur arrijnë mu mbi hon të thellë 34
ata bërtasin, qajnë edhe gjëmojnë,
ata mallkojnë zotin lart në qiell.
Më thotë prijsi se kështu ndëshkojnë 37
ata që veç mëkate bëjnë epshore
dhe që arsyen pasionit ia nënshtrojnë.
Si gargujt që në mot të keq dëbore 40
në rresht të dendur enden krahëhapur,
kështu përplasen shpirtrat mëkatnore,
sa poshtë-lart nga era hallakatur. 43
Nuk kanë shpresa që ti ngushëllojnë,
as falje kurrë skanë për të patur.
Si krillat që me britma qiellin shpojnë 46
tek ecin bashkë në një varg të gjatë,
kështu i sheh të çirren, të vajtojnë
të mjerat hije në atë shtrëngatë. 49
Dhe pyes: "Pse erë e zezë i bitisi,
më thuaj, mësues, çkanë bërë ata të ngratë?".
"E para, - mua që lart më foli prijsi, 52
mes hijesh, për të cilat do njoftime,
perandoreshë qe mbi popuj, fise.
Aq shumë u zhyt ndër epshe e dëfrime 55
sa gjithë qejfet la me ligj të lira,
veç të mos kish nga populli qortime.
Kjo është bash ajo Semiramira, 58
që Ninon trashëgoi dhe burrë pati.
Tani Sulltani i ka ato mbretërira.
Ja Didoja që fjalën si pat mbajtur 61
Sikeut dhe veten vrau nga dashuria.
Ja dhe Kleopatra në epsh e papërmbajtur.
Helenën shih, që pru mbi dhè me mija 64
të zeza, dhe Akilin trim me vlerë,
që u mposht në jetë veç nga dashuria.
Parisin shih, Tristanin" dhe të tjerë, 67
me mijra hije ai me gisht tregoi,
që dashuria nga jeta ndau përherë.
Kur prijsi im me emër më dëftoi 70
plot burra, gra, dikur me nam të mirë,
e humba krejt, mëshira më pushtoi.
Ia nisa prapë: "Poet, me sa dëshirë 73
flas me ata të dy që tok po shkojnë
dhe era lehtë duket se i prir".
Dhe ai më tha: "Ti prit sa të shikojmë 76
tafrohen dhe lutju për dashurinë
që lehtë i bart, ata do të dëgjojnë".
Drejt nesh kur i shtyu era-suferinë 79
u bëra zë: " O shpirtra të dëshpëruar,
të flasim ejani po spat ndalime".
Porsi pëllumbat mallit përvëluar 82
drejt çerdhes sëmbël qiellit flur lëshohen
me krahët e shpalosur e shtrënguar,
kështu nga çet e Didos vrik largohen 85
dhe vijnë ata mes ajrit të fëlliqur,
aq fort nga thirrj e dhemshur përgjërohen.
" O shpirt plot hir, bujar e zemërndritur, 88
që vjen të shohësh nëpër errësirë
ne që me gjak e patëm dheun vaditur,
sikur ta kishim mik ne perëndinë, 91
për paqën tënde fort e kishim lutur,
se paske për të gjorët ne mëshirë.
Në paç gjë për të thënë a për të pyetur, 94
ty gati jemi për të tu përgjigjur,
ndërkohë, e sheh, dhe era është zbutur.
Në breg të detit unë u pata lindur, 97
natë krahinë ku Poi ndal rrëmbimin,
ku përrenjtë e malit bëhen krejt të bindur.
Nga dashuria, që prek çdo zemër trimi, 100
u lidh ky fort pas trupit tim të bukur,
aq kobshëm vrarë sa më zë trishtimi.
Dhe dashuria , që slë dashnor pa zbutur, 103
me të më lidhi, dhe asnjë përpjekje
prej tij më kurrë ska për të më shkëputur.
Kjo dashuri na çoi të dy në vdekje. 106
Në Kainë vaftë kush na la pa jetë!".
Kështu na thanë dhe ranë në heshtje.
Kur e dëgjova atë shpirt të shkretë, 109
e ula kokën poshtë e më se ngrita.
Pyet prijsi: " Çfarë po mendon, vërtet?".
Kur u përgjigja: "Vaj-medet!, - thërrita, - 112
kushdi çmendime tëmbla, sa dëshira
i shtynë atje ku vdekja vinte prita!".
Pastaj nga an e tyre unë u prira. 115
"Françeskë, - i thashë, - për këto mjerime
me lot të hidhur qaj nga dhemshuria.
Por thuaj, midis të ëmblash psherëtime 118
qysh vallë dashuria ju pat mësuar kaq lehtë
të ndanit ju dëshirat nga dyshimet?".
"Ska dhembje më të madhe, - tha, - në jetë 121
se të mendosh për kohën e gëzuar
në fat të keq. E di dhe prijsi vetë.
Meqë të dish si rrënjët pat lëshuar 124
kjo dashuria jonë ke aq kureshtje,
po bëj si ai që flet duke lotuar.
Lexonim ne një ditë, kot për prehje, 127
për Lançelotin, si u dashurua,
krejt vetëm ishim e dyshim sna brente.
Vështrimi ynë shpesh u kryqëzua, 130
fytyra nga leximi na qe skuqur
dhe mendja në një çast u turbullua.
Kur ne lexuam si ai dashnor pat puthur 133
fytyrën që i blatonte lumturinë,
ky, që prej meje kurrë sështë shkëputur,
më puthi buzët me aq drithërimë. 136
Galeot qe libri dhe ai qe shkroi.
Slexuam më tutje ne as dhe një grimë!".
Kur njëri shpirt këto mua mi tregoi, 139
ai tjetri qau. Kaq dhembja më pat prekur
sa shpejt mu duk se fryma më mbaroi
dhe rashë përdhe porsi një trup i vdekur. 142
____________
V. 4.
Minosi - mbret dhe ligjvënës i Kretës së Lashtë, që kishte famën e një njeriu të drejtë. Në Ferrin e Dantes u cakton dënimin mëkatarëve. V. 58. Semiramida - mbretëreshë e Asirisë (l356 - l3l4 p. e. s.). La të lira me ligj martesat sipas dëshirës. U martua vetë me të birin. V. 61. Didona - mbretëreshë e Kartagjenës, e veja e Sikeut, të cilit i kishte premtuar se nuk do të martohej më. ra në dashuri me Eneun, u braktis prej tij dhe vrau veten. V. 63. Kleopatra - mbretëreshë e Egjiptit, dashnore e Mark Antonit. Kur ky u mund nga Oktavian Augusti, helmoi veten me anën e një gjarpëri. V. 64. Helena - e shoqja e Menelaut, mbretit të Spartës. Rrëmbimi i saj nga Paridi u bë shkaku i shpërthimit të Luftës së Trojës. V. 65. Akili - më i shquari i herojve grekë në luftën e Trojës. Ai vdiq nga dashuria për Poliksenën, të bijën e Priamit, mbretit të Trojës. Në kohën kur do të martoheshin e vrau Paridi. V. 67. Parisi (Paridi ) - I biri i Priamit. E vrau Pirroja, i biri i Akilit, për rrëmbimin e Helenës. Tristani - kalorës i tavolinës së rrumbullakët. U vra nga Marku, mbreti i Kornovajës, për shkak se i kishte ngashënjyer të shoqen, Izoldën. V. 74....me ata të dy që tok po shkojnë... Janë hijet e Françeska da Riminit dhe Paolo Malatestës. Françeska ishte e bija e Guido da Polentës, sundimtarit të Ravenës. Aty nga viti l275 u martua me Xhançoto Malatestën, babai i të cilit ishte udhëheqës i guelfëve të Riminit. Ai ishte i shëmtuar dhe i çalë. Kur mori vesh se e shoqja kishte lidhur dashuri me vëllanë e tij më të vogël, Paolon, ai i vrau që të dy. V. 97. Në breg të detit - në Ravenë. V. l07. Në Kainë vaftë kush na la pa jetë! Në Kainë, në rrethin e nëntë, janë dënuar vëllavrasësit.V. l28. Lançeloti - hero i romanit mesjetar francez me të njëjtin emër për kalorësit e tavolinës së rrumbullakët (shek. XIII). Romani tregon për dashurinë e Lançelotit me mbretëreshën Gjinevra, të shoqen e mbretit Artur. V. l36. Galeot qe libri dhe ai që e shkroi - Galeoti ishte kalorësi që ndihmoi afrimin e Lançelotit me Gjinevrën. Rolin e Galeotit luajti libri mbi Lançelotin, që e shtyu Paolon të puthte Françeskën.
Dante Aligeri "Komedia Hyjnore Ferri" Shqipëroi Çezar Kurti, Kurti Publishing, New York, 1996.
Copyright©1996 by Kurti Publishing.